FORMULARI I BARNAVE I KOSOVËS

10.Sëmundjet e muskujve, skeletit dhe të nyjeve

10.1 ANTIREUMATIKËT DHE BARNAT PËR TRAJTIMIN E GIHTIT

Barnat josteroide anti-inflamatore (BJSAI)

Salicilatet

Barnat kundër gihtit

ACIDI ACETILSALICILIK

DIKLOFENAKU

IBUPROFENI

KETOPROFENI

MELOKSIKAMI

NIMESULIDI

PARACETAMOLI

ALOPURINOLI

KOLHICINA

10.2 BARNAT PËR ÇRREGULLIMET NEUROMUSKULARE

Bllokuesit neuromuskularë

Parasimpatomimetikët

FLUMAZENILI

NEOSTIGMINA

PIRIDOSTIGMINA

PANKURONIUMI

SUKSAMETONIUMI

VEKURONIUMI

10.3 BARNAT PËR LEHTËSIMIN E INFLAMACIONIT TË INDEVE TË BUTA

HIALURONIDAZA

 

10.1 ANTIREUMATIKËT DHE BARNAT PËR TRAJTIMIN E GIHTIT

 

Barnat josteroide anti-inflamatore (BJSAI)

 

Mekanizmi i veprimit:

Mekanizmi i veprimit i BJSAI, duke përfshirë këtu edhe salicilatet, nuk ka qenë i përcaktuar deri në vitin 1970. Në vitin 1971, janë bërë disa publikime të cilat kanë treguar se mekanizmi anti-inflamator i BJSAI qëndron në redukimin e sintezës së prostaglandinës që është pasojë e inhibimit të ciklooksigjenazës (COX), e cila poashtu njihet si prostaglandin endoperoksid H sintetaza. BJSAI  nuk e inhibojnë aktivitetin peroksidik të këtij enzimi. BJSAI poashtu nuk i inhibojnë rrugët e lipoksigenazës, dhe për këtë arsye nuk suprimojnë sintezën e leukotrienëve. COX është përgjegjëse për shndërrimin e acidit arakidonik në prostaglandinën G2 (PGG2), që paraqet hapin e parë në sintezën e prostaglandineve. Izoenzim që tani është i njohur si COX-1 është izoluar me 1976. Me 1990, është dhënë sugjestion për mundësinë e ekzistimit të dy COX enzimeve; me 1992, është klonuar enzimi i dytë -COX-2. COX-1 është  pjesë përbërse e pothuaj të gjitha indeve dhe është përgjegjës për sintezën e prostaglandineve (si përgjegjje ndaj stimulimit të hormoneve qarkulluese), e poashtu edhe për mirëmbajtjen e funksionit normal renal, integritetit të mukozës gastrike, dhe hemostazës.

Duket se COX-2 është pjesë përbërëse vetëm në tru, veshkë, eshtra, organe reproduktive dhe në disa neoplazma.Sidoqoftë, COX-2 mund të induktohet në shumë qeliza dhe atë si përgjegje  ndaj disa mediatorëve të inflamacionit (p.sh. interleukina-1, faktori i nekrozës tumorale, lipopolisaharidet, mitogjenet dhe intermediatorët oksigjen reaktiv). Një mbirregullim i COX-2 është vërejtur tek adenomat kolorektale dhe karcinomat, e poashtu edhe te kancerët tjerë. Tani shihet se efektet e dobishme të BJSAI mund të jenë pasojë e inhibimit të COX-2, ndërsa efektet anësore të terapisë me BJSAI mund të paraqiten për shkak të inhibimit të COX-1. Roli kyç i COX-2 në inflamacion është i përkrahur nga inhibimi i COX-2 i bërë me kortikosteroide; ndërsa agjentët e njëjtë (kortikosteroidet) kanë efekt të vogël në të shprehurit e veprimit të COX-1. Sidoqoftë, ky dallim mund të thjeshtësohet edhe më tej. Është sugjeruar se COX-1 mund të ndikojë në komponentet e inflamacionit. Është vërejtur se COX-1 është i shprehur në disa vende të inflamacionit duke përfshirë nyjet në artrit reumatoid dhe osteoartrit, posaçërisht në shtresën sinoviale, dhe ky është enzim primar i sintezës së prostaglandineve tek bursitet humane.

Inhibimi i COX-1 dhe COX-2 nga ana e BJSAI ndryshon varësisht nga lloji i agjentit. Studimet tregojnë se BJSAI janë inhibues kompetitiv të COX-1 dhe COX-2, mirëpo, brenda tyre ekzistojnë dy grupe: kompetitorët e thjeshtë  dhe kompetitorët e varur nga koha. Në grupin e parë bëjnë pjesë: ibuprofeni, naprokseni, piroksikami dhe sulindaku. Këta agjentë ,në mënyrë reverzibile, konkurojnë me arakidonate për lidhje në pikat aktive të COX. Në studimet e bëra in vitro, këta agjentë e inhibojnë COX-1 dhe COX-2 në mënyrë rapide (instante). Inhibuesit të varur nga koha të COX-1 dhe COX-2 përfshijnë diklofenakun, flurbiprofenin, indometacinën dhe meklofenamatin. Për inhibues të varur nga koha testi i instant-inhibimit duket se nënvlerëson mundësitë e këtyre agjentëve. Pasi që të lidhen për COX, ata shkaktojne ndryshime konformacionale në proteinë gjë që rezulton me lidhje të fortë jokovalente. Kur të lidhen në këtë mënyrë , këta agjentë shumë ngadalë disocojnë prej pikave lidhëse aktive.

Inhibimi  i agregimit të trombociteve i vërejtur gjatë veprimit të BJSAI është pasojë e inhibimit të COX-1 në trombocite, që shkakton  dhe zvogëlim të nivelit të tromboksanit trombocitar A2  dhe një zgjatje të kohës së gjakderdhjes; COX-2 nuk shprehet në trombocite. Inhibimi i agregimit të trombociteve është reverzibil pas ndërprerjes së BJSAI; kohëzgjatja e inhibimit trombocitar ndryshon  prej 1 dite deri në 2 javë pas ndërprerjes. Kjo ndryshon prej veprimit të aspirinës, e cila në mënyrë ireverzibile lidhet për COX-1 në trombocite duke inhibuar këtë enzim për tërë jetën e qelizës.

Gjatë trajtimit të dhembjes, BJSAI janë më efektivët në rastet kur inflamacioni shkakton senzitivitet të receptorëve të dhembjes (hiperalgjia). Duket se prostaglandinet janë përgjegjëse për senzitivizimin e receptorëve të dhembjes; për këtë arsye, BJSAI luajnë një rol indirekt dhe nuk ndikojnë në mënyrë direkte në hiperalgji. BJSAI rëndom rradhiten në analgjetikë të moderuar, por në disa raste  (p.sh. disa forma të dhembjes post-operative), ato mund të jenë më efikas se agonistët opioidë.

Në raste të temperaturës së lartë BJSAI tentojnë të rikthejnë temperaturën normale trupore duke vepruar në hipotalamus. BJSAI bëjnë inhibimin e sintezës së prostaglandineve , dhe ate në mënyrë specifike të PGE2, në organet cirkumventrikulare në hipotalamus dhe afër tij.

Bazuar në disa studime, duket se aspirina dhe BJSAI zvogëlojnë incidencën e kancerit të kolonit. Formimi i PGE2 përmes COX-2 është shoqëruar me zhvillimin e kancerit të kolonit, si pasojë e një mbirregullimi të COX-2 në adenomat dhe karcinomat humane të kolonit. Në studimet në shtazë, inhibuesit selektivë të COX-2 suprimojnë karcinogjenezën dhe reduktojnë formacionet polipoze intestinale në minj. Sidoqoftë, BJSAI mund të inhibojnë karcinogjenezën edhe me mekanizma jo të afërt me COX-2. Shembull është sulindaku, një agjent me aktivitet të ulët të inhibimit të COX-2, tek i cili është vërejtur një aktivitet mbrojtës kundër kancerit të kolonit. Inhibuesit selektivë të COX-2 mund të kenë rol në hemoparandalimin e kancerit të kolonit. Është vërejtur se celekoksibi redukton numrin e polipeve adenomatoze kolorektale tek pacientët me polipozë adenomatoze familjare.

BJSAI oftalmikë inhibojnë reagimin miotik gjatë ndërhyrjeve kirurgjike në sy duke bërë konstrikcionin e sfinkterit të irisit, pavarësisht nga mekanizmat kolinergjik. BJSAI oftalmik mund të shkaktojnë zbritje të tensionit intraokular , edhe pse diklofenaku dhe ketorolaku nuk kanë efekt sinjifikant në presionin intraokular.

 

Salicilatet

 

Mekanizmi  i veprimit:

Besohet se veprimi analgjetik i salicilateve është i shkaktuar nga inhibimi periferik i sintezës së prostaglandineve, që ka si pasojë bllokimin e gjenerimit periferik të impulseve të dhembjes. Efekti analgjetik mund të realizohet përmes substancave të tjera që senzibilizojnë receptorët e dhembjes ose mund të jetë veprim qendror, me gjasë në hipotalamus.

Besohet se veprimi antiinflamator i salicilateve është rezultat i inhibimit periferik të sintezës së prostaglandineve. Aspirina mund të inhibojë poashtu veprimin dhe sintezën e mediatorëve të tjerë të inflamacionit. Salicilatet tjera inhibojnë sintezën e PG, por veprimi antiinflamator mund të ndërmjetësohet me mekanizma të tjerë të veprimit.

Efekti antipiretik i salicilateve është rezultat i inhibimit të sintezës së prostaglandineve në hipotalamus.Aspirina poashtu mund të intensifikojë vazodilatimin periferik dhe djersitjen, dhe për këtë arsye shpenzimin periferik të ngrohtësisë. Dozat e moderuara të salicilateve mund të shkaktojnë  rritjen e shpenzimit të oksigjenit dhe në shkallën e metabolizmit. Intoksikimi me salicilate mund të shkaktojë dehidrim si pasojë të djersitjes së tepruar.

Nëse krahasohet veprimi i aspirinës në inhibimin trombocitar me veprimin e salicilateve tjera do të shihet se efektet e arritura janë të ndryshme. Aspirina ka aftësi të acetilojë (në mënyrë ireverzibile) dhe të inaktivizojë ciklooksigjenazën në trombocitet qarkulluese. Ky aksion parandalon sintetizimin e PG endoperoksideve dhe tromboksanit A2 nga trombocitet; këto komponime në kushte normale shkaktojnë agregimin e trombociteve dhe  konstrikcionin arterial të muskulaturës së lëmuar. Aspirina inhibon agregimin trombocitar të induktuar nga epinefrina ose nga koncentrimi i vogël i kolagjenit. Efekti hemostatik rikthehet në gjendje normale pas përafërsisht 36 orësh nga momenti i marrjes së dozës së fundit të barit. Salicilatet tjera kanë efekt minimal inhibitor në ciklooksigjenazë dhe efekt më të vogël në inhibimin trombocitar.

 

Barnat kundër gihtit

 

Mekanizmi i veprimit:

Antigiht agjentët e ndryshëm veprojnë përmes disa mekanizmave të ndryshëm. Probenecidi dhe sulfinpirazoni rrisin ekskrecionin urinar të acidit urik, derisa alopurinoli pengon formimin e acidit urik.Probenecidi dhe sulfinpirazoni nuk kanë efekt në formimin e acidit urik. Kolhicina , agjentët anti-inflamator josteroid, kortikotropina dhe kortikosteroidet pengojnë përgjegjjen inflamatore ndaj depozitimit të kristaleve të uratit dhe kështu zvogëlojnë simptomet (p.sh. artritin urik) që shoqërojnë gihtin.

Veprimi i agjentëve anti-inflamator që përdoren në trajtimin e gihtit ndryshon esencialisht. Kolhicina vepron duke u lidhur për proteinet mikrotubulare dhe duke e penguar funksionin e boshteve mitotike gjë që shkakton zvogëlimin e migrimit leukocitar, kemotaksës, adhezionit dhe fagocitozës. Indometacina dhe fenilbutazoni karakterizohen me efektivitet të njëjtë në krahasim me kolhicinën sa i përket zbutjes së simptomeve inflamatore të gihtit. Në dallim prej indometacinës , fenilbutazoni  posedon aktivitet urikozurik. Sulfinpirazoni nuk posedon veprim analgjetik ose anti-inflamator gjë që është karakteristikë e fenilbutazonit.Është përafërsisht 3-6 herë më potent se probenecidi në veprimin e vetë urikozurik. Sulfinpirazoni poashtu zgjatë qëndrueshmërin e trombociteve gjë që mund të jetë e dobishme në parandalimin e infarktit të miokardit dhe trombozës.

Dozat farmakologjike të kortikosteroideve dhe të ACTH zvogëlojnë inflamacionin duke inhibuar lirimin e leukociteve dhe hidrolazës si dhe duke prevenuar akumulimin e makrofagëve në vendin e inflamacionit. Poashtu pengohet adhezioni leukocitar në muret e kapilareve, reduktohet permeabiliteti i membranës kapilare (për këtë arësye zvogëlohet edema), redukohen komponentet e komplementit, inhibohet lirimi i histaminës dhe i kininës, dhe pengohet formimi i vrragëve.

 

ACIDI ACETILSALICILIK

 

Indikacionet:

Acidi acetilsalicilik ushtron veprim analgjezik, antipiretik dhe antiinflamator prandaj indikohet për mjekimin e sëmundjeve reumatike dhe të çrregullimeve të tjera muskuloskeletore (duke përfshirë edhe artritin juvenil). Ai ushtron edhe veprim antitrombocitar, prandaj indikohet në profilaksën e sëmundjeve cerebrovaskulare ose të infarktit të miokardit, në dhembje të lehta deri mesatare dhe në gjendje febrile.

Kundërindikacionet:

Te pacientët me tejndjeshmëri ndaj barit, hemofili dhe çrregullime të tjera të koagulimit; ulcerë peptike aktive;

-te fëmijët nën 12 vjeç (përveç mjekimit të artritit juvenil) laktacionit (rreziku i shfaqjes së Reye sindromës).

Veprimet anësore:

Ulcera me hemoragji të fshehta; çrregullime gastriontestinale; hemoragji subkonjunktivale; çrregullime të të dëgjuarit; marramendje; konfuzion mendor; angioedemë; bronkospazma; ekzantema; rritja e kohës së koagulimit; miokardi; trombocitopeni; Reye sindromi.

Dozimi:

300-900 mg çdo 4-6 orë sipas nevojës, doza maksimale 4g në ditë. Tek fëmijët nuk rekomandohet.

Format farmaceutike dhe dozat:

Tableta: 100 mg, 300 mg, 500 mg, 650 mg.

Tableta eferveshente (shkumëzuese): 500 mg, 324 mg, 400 mg

Supozitorje: 60 mg, 120 mg, 200 mg, 300 mg,

600 mg, 650 mg, 1.2 g.

Tretësirë për injekcion: 0.5 g dhe 1 g.

 

DIKLOFENAKU

 

Indikacionet:

artrit reumatoid; artrit reumatoid juvenil; spondilit ankilizant; osteoartrozë; spondiliartrit; dhembje të kurrizit; kriza akute të gutës; inflamacione dhe edemë me dhembje posttraumatike dhe postoperative; dismenorre; adneksit; infeksione inflamatore me dhembje të forta të veshit, hundës ose faringut.

Kundërindikacionet:

Pacientët me ndjeshmëri të lartë në bar; ulcerë peptike; te pacientët te të cilët krizat e astmës, urtikaries, rinitit akut, nxiten nga acidi acetilsalicilik.

Veprimet anësore:

dhembje epigastrike, vjellje, diarre, hemoragji gastrointestinale, ulcer peptik, kolit hemoragjik jo specifik, dhembje koke, marramendje, pagjumësi, çrregullime të të pamurit, konvulzione, rënje flokësh, fotosensibilizim, insuficiencë renale akute, hematuri, nefrit intersticial, sindrom nefrotik, çrregullime të funksionit të mëlqisë, trombocitopeni, leukopeni, agranulocitozë, anemi hemolitike, anemi aplastike.

Dozimi:

Oralisht: 75-150 mg në ditë, të ndara në 2-3 doza. Preferohet pas ushqimit.

I.M.: 75 mg në ditë, vetëm një herë (në raste të veçanta 2 herë), për maksimalisht dy ditë.

I.V.: 75 mg e përsëritur sipas nevojës pas 4-6 orë, për maksimalisht dy ditë.

Doza maksimale ditore është 150 mg.

Fëmijët: 1-2 vjeç tek artriti juvenil, oralisht, ose nga rektumi, 1-3 mg/kg në ditë në doza të ndara.

Format farmaceutike dhe dozat:

Tableta: 50 mg

Tableta të veshura:25 mg, 50 mg, 75 mg

Tableta me veprim të zgjatur: 100 mg

Supozitorje: 50 mg, 100 mg

Injekcione: 25 mg/mL, 75 mg/3mL

 

IBUPROFENI

 

Indikacionet:

Në artrit reumatizmal; osteoartrit; spondilit ankilizant; në dhembje të lehta dhe ato mesatare; në analgjezinë postoperatore; në ethe dhe dhembje te fëmijët.

Kundërindikacionet:

te pacientët me ndjeshmëri të lartë në bar; ulcerë peptike aktive dhe të kaluar; sindromi i polipeve nazale; reaktivitet bronkospastik.

Veprimet anësore:

Dispepsi, intolerancë gastrointestinale, hemoragji, dhembje koke, anemi, trombocitopeni, agranulocitozë.

Dozimi:

Të rriturit: në fillim 1200 mg në ditë, në doza të ndara. Në raste të rënda deri në 1800 mg në ditë. Doza mbajtëse është 600-1200 mg në ditë. Doza nuk duhet të tejkalohet mbi 2400 mg, në 24 orë.

Fëmijët: 20 mg/kg në ditë, në doza të ndara. Nuk rekomandohet te fëmijët me masë trupore nën 7kg.

Format farmaceutike dhe dozat:

Tableta: 100 mg, 200 mg, 300 mg, 400 mg, 600 mg, 800 mg

Suspension oral: 100 mg/5 mL

 

KETOPROFENI

 

Indikacionet:

Artriti reumatoid, ostoartriti, dismenorea, dhembjet e moderuara, temperatura e lartë.

Kundërindikacionet:

Hipersenzitivitet, astma e induktuar nga acidi acetilsalicilik ose BJSAI.

Veprimet anësore:

SNQ: kokëdhembje, mundim, ekscitim i SNQ ose depresion.

SGI: nauze, dhembje abdominale, diarre, konstipacion, flatulencë, ulceracione peptike, dispepsi, stomatit, anoreksi, vjellje.

SUGJ: nefrotoksicitet, rritje e nivelit të uresë.

SR: dispne, bronhospazëm, edemë laringeale.

Hematologjike: trombocitopeni, agranulocitozë, zgjatje e kohës së  gjakderdhjes.

Hepatike: rritje e enzimeve hepatike.

Lëkura: ekzantemë, fotosenzitivitet, dermatit eksfoliativ.

Të tjera: edemë periorbitale.

Dozimi:

Dozimi varet prej sëmundjes dhe efekteve të arritura . Administrohet 2-3 herë në ditë rëndom (25-50-100mg) e më rrallë në intervale 4 ose 6 orëshe ( doza më të vogla). Doza maksimale ditore është 300 mg.

Format farmaceutike dhe dozat: 

Tableta (retard): 100mg, 150 mg, 200mg.

Filmtableta: 50mg, 100mg.

Kapsulla (retard): 100 mg, 150mg, 200mg.

Kapsulla: 25mg, 50mg, 75mg.

Supozitorje: 100 mg.

 

MELOKSIKAMI

 

Indikacionet:

Sëmundjet reumatike, ekzacerbimi i osteoartritit ( për kohë të shkurtër), spondiliti ankilozant.

Kundërindikacionet:

Hipersenzitiviteti, insuficienca renale serioze, ulcera peptike aktive, astma e induktuar nga acidi acetilsalicilik ose BJSAI.

Veprimet anësore:

SNQ: kokëdhembje, mundim, vertigo, çrregullime të të dëgjuarit.

SGI: nauze, vjellje, gjakderdhje, ulceracione.

SUGJ: insuficiencë renale, nekrozë papilare, fibrozë intersticiale.

Të tjera: dëmtime hepatike, alveolit, pankreatit, ndryshime në sy, dermatit eksfoliativ, Sy. Stevens Johnsons.

Dozimi:

7.5 –15 mg në ditë.

Format farmaceutike dhe dozat: 

Tableta: 7.5 mg, 15 mg.

Supozitorje: 7.5 mg, 15 mg.

 

NIMESULIDI

 

Indikacionet:

Sëmundjet reumatike, poliartriti juvenil, reumatizmi degjenerativ dhe sëmundjet tjera të nyjeve dhe boshtit kurrizor. Inhibitor i ciklooksigjenazës-2 (COX-2).

Kundërindikacionet:

Tremujori i parë i shtatzanisë dhe 10 ditë para lindjes, ulcera gastrike, insuficienca mesatare dhe e rëndë e mëlqisë.

Veprimet anësore:

Pështirosje, vjellje, diarre, dhembje në epigastrium, shpërthim i puçrrave dhe kruarje; rrallë kokëdhembja dhe përgjumja.

Dozimi:

Të rriturit marrin 2 herë nga 100 mg mbas ushqimit; fëmijët marrin nga 5 mg/kg të ndarë në dy doza ditore.

Lokalisht përdoret 3-4 herë në ditë nga 2-4 g xhel me të cilinë fërkohet lehtazi vendi i dhembjes.

Format farmaceutike dhe dozat:

Tableta: 100 mg

Xhel: 1%

 

PARACETAMOLI

 

Indikacionet:

Dhembje me etiologji të ndryshme; dismenorre; mialgji; neuralgji; ulje të temperaturës në gjendje febrile.

Kundërindikacionet:

Te pacientët me tejndjeshmëri ndaj barit, insuficiencë renale dhe hepatike.

Veprimet anësore:

Anemi hemolitike, neutropeni, leukopeni, pancitopeni, kruarje, urtikarie, hipoglikemi.

Dozimi:

Oralisht: të rriturit, nga 0.5-1 g 3-4 herë në ditë. Doza maksimale ditore është 4 g në ditë; fëmijët nën një vjeç, 60 mg 3-4 herë në ditë; 1-6 vjeç 60-150 mg, deri 4 herë në ditë; doza maksimale për fëmijët 3-6 vjeç është 480 mg, ndërsa pë fëmijët e rritur është 1.2 g.

Me rrugë rektale: fëmijët 1-5 vjeç 125-250 mg, deri 4 herë në ditë; të moshuarit: supozitorje 500 mg, që janë në doza të njëjta me ato orale.

Format farmaceutike dhe dozat:

Tableta: 160 mg, 350 mg, 500 mg, 650 mg

Tableta efervescente: 330 mg, 500 mg

Kapsulla: 250 mg dhe 500 mg

Shurup: 120 mg/5 mL, 100 mg/5 mL, 160 mg/5 mL

Eliksir: 120 mg/5 mL, 160 mg/5 mL, 325 mg/5 mL

Granula: 80 mg, 325 mg

Supozitorje: 80 mg, 100 mg, 120 mg, 125 mg, 300 mg, 325 mg, 650 mg

Tretësirë për injekcione: 1 g

 

ALOPURINOLI

 

Indikacionet:

Profilaksa e gihtit dhe krijimit të gurëve në veshkë të acidit urik dhe oksalatit të kalciumit.

Vërejtje të veçanta:

Të administrohen profilaktikisht kolhicina dhe BAJS (jo aspirina ose salicilatet) së paku 1 muaj mbasi të korigjohet hiperuricemia; të sigurohet marrja adekuate e lëngjeve (2 litra në ditë); dëmtimi i mëlqisë dhe i veshkeve; trajtimi me alopurinol (nëse është e nevojshme) tek sëmundjet e neoplazmës duhet të fillojë para se të jepen barnat citotoksike; shtatzania dhe laktacioni.

Kundërindikacionet:

Sulmi akut i gihtit nuk trajtohet me alopurinol por të vazhdohet me të, kurse sulmi të trajtohet në mënyrë të veçantë.

Veprimet anësore:

Urtikari, (të tërhiqet terapia; nëse është urtikaria mesatare rifillo me kujdes por të ndërpritet nëse kjo rishfaqet-reakcionet e tejndjeshmërisë shfaqen rrallë dhe përfshijnë eksfoliacion,ethe, limfadenopati, artralgji, dhe eozinofilia që i ngjan Steven-Johnson ose Lyell sindromit, vaskuliti, hepatiti, nefriti intersticial dhe shumë rrallë epilepsia); çrregullimet gastrointestinale; pafuqishmëri, kokëdhembje, vertigo, marramendje, çrregullime të të pamurit dhe shijes, hipertension, depozitim pa simptome i ksantineve në muskuj, alopeci, hepatotoksicitet, parestezi dhe neuropati, çrregullime të pasqyrës së gjakut (përfshirë leukopeninë, trombocitopeninë, aneminë hemolitike dhe aneminë aplastike).

Dozimi:

Fillimisht jepen 100-300 mg në ditë si dozë e vetme, më mirë para ushqimit, pastaj doza rregullohet varësisht nga koncentrimi plazmatik ose urinar i acidit urik; doza e rëndomtë e mbajtjes në rastet mesatare është 100-200 mg në ditë, në rastet mesatarisht të rënda 300-600 mg në ditë, në rastet e rënda 700-900 mg në ditë; dozat mbi 300 mg jepen në doza të ndara; tek fëmijët (në rastet e sëmundjeve të neoplazmave, çrregullimeve enzimatike) 10-20 mg/kg në ditë ose 100-400 mg në ditë.

Dozat dhe format farmaceutike:

Tableta: 100 mg, 300 mg

 

KOLHICINA

 

Indikacionet:

Gihti akut, profilaksë e shkurtë gjatë terapisë fillestare me alopurinol dhe barna urikozurike; profilaksa e etheve hereditare mesdhetare (poliseroziti rekurent).

Vërejtje të veçanta:

Të vjetrit, sëmundjet gastrointestinale, insuficienca kardiake, hepatike dhe e veshkeve.

Kundërindikacionet:

Shtatzania dhe laktacioni.

Veprimet anësore:

Efektet anësore më të rëndomta janë: pshtirosja, vjellja dhe dhembja e barkut; dozat e tepruara mund gjithashtu të shkaktojnë diarre profuze, gjakderdhje gastrointestinale, urtikari, dëmtim të mëlqisë dhe të veshkeve. Rrallë paraqiten edhe neuriti periferik, miopatia, alopecia, dhe në trajtim të zgjatur çrregullimet e gjakut.

Dozimi:

Trajtimi i gihtit fillohet me 1 mg duke pasuar me 500 mikrogram çdo 2-3 orë derisa të arrihet qetësimi i dhembjes ose shfaqja e vjelljes ose diarresë; ose deri në arritjen e dozës së përgjithshme prej 6 mg; kursi i trajtimit nuk duhet të përsëritet mbrenda 3 ditësh.

Prevenimi i sulmeve të gihtit gjatë trajtimit fillestar me alopurinol ose barna urikozurike bëhet me 500 mikrogram 2-3 herë në ditë.

Profilaksa e etheve hereditare mediterane bëhet me 0.5-2 mg në ditë.

Dozat dhe forma farmaceutike:

Tableta: 500 mg

10.2 BARNAT PËR ÇRREGULLIMET NEUROMUSKULARE

Bllokuesit neuromuskularë

 

Mekanizmi i veprimit:

Ekzistojnë dy grupe të bllokuesve neuromuskularë: depolarizues dhe jodepolarizues.Tubokurarina është një antagonist kompetitiv i acetilkolinës (agjent jodepolarizues). Tubokurarina lidhet për receptorët kolinergjik nikotinik dhe pengon stimulimin e nervave motorikë nga ana e acetilkolinës, që rezulton me paralizë muskulare. Agjentët e tjerë jodepolarizues janë: atrakuriumi, cisatrakuriumi, doksakuriumi, mivakuriumi, pipekuroniumi, rapakuroniumi, rokuroniumi dhe vekuroniumi.Sukcinilkolina është agjent depolarizues me mekanizëm të ndryshëm të aksionit. Ajo lidhet për receptorët e acetilkolinës dhe stimulon depolarizimin duke shkaktuar ngacmimin fillestar që pastaj shoqërohet me ndërprerje të neurotransmisionit dhe me paralizë muskulare.

 

Parasimpatomimetikët

 

Mekanizmi i veprimit:

Parasimpatomimetikët mund të kategorizohen si agonistë direkt kolinergjik (betanekol, karbakol, pilokarpin) dhe  inhibues të kolinesterazës (ambenoniumi, demekariumi, ekotiopati, edrofoniumi, izoflurofati, neostigmina, fizostigmina, piridostigmina). Agonistët direkt muskarinik nuk e inaktivizojnë acetilkolinesterazën. Inhibuesit e kolinesterazës ushtrojnë veprimin e vet duke konkuruar me acetil-kolinën për vendet lidhëse të saja në acetilkolinesterazë.Duke penguar destrukcionin enzimatik të acetilkolinës, inhibuesit e kolinesterazës e potencojnë veprimin e acetilkolinës në receptorët nikotinik dhe muskarinik.

Parasimpatomimetikët veprojnë në traktin urogjenitale. Betanekoli primarisht vepron në fshikëzën e urinës duke stimuluar receptorët muskarinik në muskulin detruzor. Me kontraktim të detruzorit zvogëlohet vëllimi i fshikëzës së urinës dhe pason urinimi. Betanekoli poashtu stimulon peristaltikën uretrale dhe relakson trigonin dhe sfinkterin e jashtëm. Inhibuesit e kolinesterazës shkaktojnë efekt stimulues në sistemin urogjenital (veprim muskarinik) që rezulton me konstrikcion uretral.

Betanekoli stimulon receptorët muskarinik në traktin GI dhe  rikthen peristaltikën, rrit motilitetin, dhe rrit shtypjen në sfinkterin distal ezofageal. Stimulimi kolinergjik në pjesën distale të traktit intestinal shkakton defekimin. Betanekoli shkakton përgjegjje më energjike në muskulin e denervuar se sa në muskulin e lëmuar normal. Inhibuesit e kolinesterazës poashtu rrisin motilitetin gastrik dhe tonusin e traktit GI përmes stimulimit muskarinik.

Administrimi oftalmik i pilokarpinës dhe karbakolit shkakton kontrakcion të muskulit ciliar, duke rritur evakuimin e humor aquosus , gjë që redukton shtypjen intraokulare tek glaukoma këndmbyllur. Parasimpatomimetikët me veprim direkt induktojnë miozën, duke hapur këndin në komorën e përparme të syrit dhe duke lehtësuar rrjedhën e humor aquosus. Kur aplikohen direkt në sy inhibuesit e kolinesterazës (fizostigmina, demekariumi, ekotiopati, izoflurofati) mund të stimulojnë receptorët kolinergjikë duke shkaktuar miozë. Këto barna zvogëlojnë shtypjen intraokulare, me gjasë duke innuktuar kontrakcionin e muskulit ciliar çka  zgjeron rrjetën trabekulare duke lejuar  rrjedhimin jashtë të humor aquosus.

E administruar per os , pilokarpina stimulon sekretimin e gjëndrrave ekzokrine. Edhe gjëndrrat sekretore mund të preken duke përfshirë një rritje të tajimit të pështymës.Inhibimi i kolinesterazës mund poashtu të shkaktojë stimulim muskarinik të gjëndrrave të djersës dhe të pështymës që rezulton me djersitje dhe tajim të shtuar të pështymës. Disa nga këto veprime janë vërejtur edhe tek edrofoniumi.

Inhibuesit e kolinesterazës, duke rritur sasinë e acetilkolinës në kontaktet (sinapsat) neuro-muskulare në pllakën motorike, e rrisin tonusin e muskulaturës së skeletit (veprim nikotinik). Inhibuesit e kolinesterazës e potencojnë lidhjen e acetilkolinës për receptorët e saj natyror. Grupe të ndryshme të muskujve reagojnë në shkallë të ndryshme  ndaj agjentëve antikolinesterazë dhe dozat që shkaktojnë stimulim të një grupi të muskujve, nëse rriten (mbidozohen), mund të shkaktojnë dobësi tek muskujt tjerë. Kjo lidhje mund klinikisht të vlerësohet si një rritje e forcës muskulare të pacientit ose mund të vendos diagnozën e miastenia gravis në 90-95% të rasteve të dyshimta. Inhibuesit e kolinesterazës mund poashtu të kenë veprim direkt në muskulaturën e skeletit.

Fizostigmina vepron primarisht në sinapsat kolinergjike muskarinike dhe brenda SNQ, duke pasur efekt më të vogël në sinapsat mioneurale kur përdoret në doza të vogla. Tek dozat e mëdha fizostigmina tregon disa efekte jo të ngjajshme me ato që vërehen tek inhibimi i acetil-kolinesterazës. Fizostigmina mund të veprojë në lidhjen mioneurale duke shkaktuar bllok depolarizues. Ajo poashtu mund të ushtrojë veprim direkt bllokues brenda ganglioneve autonome dhe të potencojë në mënyrë direkte depresionin e SNQ.

Inhibuesit e kolinesterazës kanë edhe efektet tjera muskarinike  siç janë bradikardia dhe konstrikcioni bronkial. Disa nga këto veprime janë vërejtur tek edrofoniumi. Neostigmina  mund poashtu të përdoret për të antagonizuar efektin e agjentëve bllokues jodepolarizues neuromuskular si pankuroniumi dhe tubokurarina, por nuk do të duhej të përdorej për të kundërshtuar efektin e agjentëve depolarizues (p.sh. sukcinilkolinës) pasi që kolinesteraza është e nevojshme për metabolizimin e sukcinilkolinës.

 

FLUMAZENILI

 

Indikacionet:

Anulimi i efekteve sedative të benzodiazepineve në anaestezion , njësi intenzive dhe procedurat diagnostike.

Vërejtje të posaçme:

Me veprim të shkurtë (përsëritja e dozave mund të jetë e nevojshme-efekti i benzodiazepineve mund të perzistojë më së paku 24 orë); varshmëria në benzodiazepine (mund të precipitojë simptome të abstinencës); pacientët epileptikë të cilët kanë marrë terapi të gjatë të benzodiazepineve (rrezik nga konvulzionet); të sigurohet që është anuluar bllokada neuromuskulare para se të jepet flumazenili; të shmanget dhënja e shpejtë e injekcionit tek pacientët me rrezik të lartë, tek pacientët anksiozë  dhe pacientët që ju nënshtrohen operacioneve të mëdha kirurgjike, dëmtimi i mëlqisë; lëndimet e kokës (anulimi i shpejtë i sedacionit të benzodiazepineve mund të shkaktojë konvulzione); të moshuarit, fëmijët, shtatzania dhe laktacioni.

Kundërindikacionet:

Konditat që rrezikojnë jetën (psh. shtypja e rritur intrakraniale, status epilepticus) të cilat kontrollohen nga benzodiazepinet.
Veprimet anësore:

Pështirosje, vjellje dhe mbërdhezje; nëse bëhet zgjuarje shumë e shpejtë mund të paraqiten agjitimi, anksioziteti dhe frika; rritje e shtypjes së gjakut dhe të ritmit të zemrës tek pacientët në njësi intenzive; shumë rrallë paraqiten konvulzionet (veçanërisht tek pacientët epileptik).

Dozimi:

Me injekcion intravenoz jepen 200 mikrogram gjatë 15 sekondave nëse është e nevojshme në intervale kohore prej 60 sekondash; diapazoni i dozës së rëndomtë është 300-600 mikrogram; doza maksimale e përgjithshme është 1 mg ( në njësi intenzive 2 mg); kërko etiologjinë nëse nuk ka përgjegjje terapeutike në dozat e përsëritura.

Nëse rishfaqet përgjumja mbas dhenjes së injekcionit infuzioni intravenoz në dozë prej 100-400 mikrogram/orë jepet duke e dozuar varësisht nga  shkalla e zgjimit.
Dozat dhe forma farmaceutike:

Injekcione: 100 mikrogram/mL

 

NEOSTIGMINA

 

Indikacionet:

Anulimi i bllokadës jo-depolarizuese neuromuskulare, miastenia gravis.

Vërejtje të veçanta:

Astma (kujdes i jashtëzakonshëm), bradikardia, infarkti i freskët i miokardit, epilepsia, hipotensioni, parkinsonizmi, vagotonia, ulcerimet peptike, dëmtimi i veshkeve, shtatzania dhe laktacioni. Mund të jetë e nevojshme dhënja e atropinës ose një antidoti me efekt muskarinik (posaçërisht nëse neostigmina jepet me injekcion), por nuk do të duhej të jepet në mënyrë rutinore pasi që mund të maskojë shenjat e tejdozimit me neostigminë.

Kundërindikacionet:

Obstrukcioni intestinal ose urinar.

Veprimet anësore:

Pështirosje, vjellje, rritje e salivacionit, diarre, shtrëngime abdominale (paraqiten më shpesh me doza të larta). Shenjat e tejdozimit janë: shqetësimi gastrointestinal, sekretimi bronkial dhe djersitja, defekimi dhe urinimi i pavullnetshëm, mioza, nistagmusi, bradikardia, hipotensioni, agjitimi, gjumi i tepruar dhe ligështia të cilat eventualisht mund të shpiejnë deri tek fascikulacionet dhe paraliza.

Dozimi:

Nëpërmjet gojës neostigmina jepet gjatë ditës në intervale të përshtatshme në dozë prej 15-30 mg; neonatëve u jepet nga 1-5 mg çdo 4 orë një gjysmë ore para ushqimit; fëmijëve deri 6 vjeç u jepet fillimisht 7.5 mg, atyre 6-12 vjeç fillimisht 15 mg kurse doza e rëndomtë ditore është 15-90 mg.

Me injekcion subkutan ose intramuskular metilsulfati i neostigminës jepet në dozë prej 1-2.5 mg në intervale kohore të përshtatshme gjatë ditës (doza e rëndomtë ditore është 5-20 mg); foshnjet 50-250 mikrogram çdo 4 orë një gjysmë ore para ushqimit; fëmijët 200-500 mikrogram të jepet sipas nevojës.

Anulimi i bllokadës jo-depolarizuese neuromuskulare bëhet me injekcion intravenoz që jepet më gjatë se 1 minut 50-70 mikrogram/kg (maksimalisht 5 mg) mbas dhënjes së atropinës ose bashkë me 0.6-1.2 mg sulfat atropine.

Dozat dhe format farmaceutike:

Tableta: 15 mg

Injekcione: 2.5 mg/mL, 0.5 mg/mL

 

PIRIDOSTIGMINA

 

Indikacionet:

Miastenia gravis

Vërejtje të veçanta:

Shih te neostigmina.

Kundërindikacionet:

Shih te neostigmina.

Veprimet anësore:

Shih te neostigmina.

Dozimi:

Nëpërmjet gojës 30-120 mg gjatë ditës në intervale të përshtatshme kohore, doza totale ditorë 0.3-1.2 g; neonatët 5-10 mg çdo 4 orë, 30-60 minuta para ushqimit; fëmijët deri në 6 vjeç fillimisht marrin 30 mg, 6-12 vjeç fillimisht marrin 60 mg, doza e rëndomtë ditore është 30-360 mg.

Dozat dhe format farmaceutike:

Tableta: 60 mg

 

PANKURONIUMI

 

Indikacioni:

Relaksues i muskujve në kirurgji (veprim kohëgjatë).

Vërejte të posaçme:

Dëmtimi i mëlqisë, të reduktohet doza tek dëmtimi i veshkeve.

Janë raportuar reakcione të kryqëzuara të tejndjeshmërisë; është e këshillueshme që të kihet kujdes në këso raste. Aktiviteti i tyre është i zgjatur tek pacientët me miastenia gravis dhe në hipotermi, kështu që është e nevojshme të jepen doza më të ulta. Mund të paraqitet rezistenca tek pacientët me djegje për të cilët do të duhen doza më të larta.

Veprimet anësore:

Për dallim nga benzilizokinolinium relaksuesit jodepolarizues të muskujve (përveç cisatrakuriumit), përdorimi i aminosteroideve (pankuroniumit) nuk shoqërohet me lirim të histaminës i cili mund të shkaktojë mbërdhezje të lëkurës, hipotension, tahikardi, bronkospazëm dhe rrallëherë reakcione anafilaktoide.

Dozimi:

Me injekcion intravenoz fillimisht për intubacion 50-100 mikrogram/kg, pastaj 10-20 mikrogram/kg sipas nevoje; për fëmijët fillimisht 60-100 mikrogram/kg, pastaj 10-20 mikrogram/kg; për neonatët 30-40 mikrogram/kg, pastaj 10-20 mikrogram/kg.

Në njësi intenzive me injekcion intravenoz 60 mikrogram/kg çdo 60-90 minuta.

Dozat dhe forma farmaceutike:

Injekcione: 2 mg/mL 2 mL amp.

 

SUKSAMETONIUMI

 

Indikacionet:

Relaksues i muskujve (veprim i shpejtë, kohëzgjatje e shkurtë).

Vërejtje të posaçme:

Shtatzania, pacientët me sëmundje të zemrës, respiratore ose neurologjike; rrit shtypjen intraokulare (të shmanget tek lëndimet penetruese të syrit).

Kundërindikacionet:

Histori familjare të hipertermisë malinje, aktiviteti plazmatik i ulët i kolinesterazës, hiperkalemia.

Veprimet anësore:

Dhembje postoperative e muskujve, mioglobinemi, tahikardi, aritmi, hipertension, hipotension, bronkospazëm, apne, depresion i zgjatur respirator, hiperkalemi, hipertermi.

Dozimi:

Për të rriturit me injekcion intravenoz 1 mg/kg (prej 0.3-1.1 mg/kg); diapazoni i rëndomtë 20-100 mg; maksimalisht 500 mg/orë; foshnjet nën 1 vjeç 2 mg/kg; fëmijët 1-12 vjeç 1-2 mg/kg.

Me infuzion intravenoz i cili përmban 1-2 mg/mL (0.1-0.2%), 2-5 mg/min; maksimalisht 500 mg/orë.

Me injekcion intramuskular, për foshnje deri në 4-5 mg/kg; për fëmijë deri në 4 mg/kg; maksimalisht 150 mg.

Dozat dhe format farmaceutike:

Injekcione: 50 mg/mL 2 mL amp.

 

VEKURONIUMI

 

Indikacionet:

Relaksim i muskujve me kohëzgjatje mesatare në kirurgji.

Vërejtje të posaçme:

Reakcione të kryqëzuara të tejndjeshmërisë janë raportuar; është e këshillueshme që të kihet kujdes në këso raste. Aktiviteti i tyre është i zgjatur tek pacientët me miastenia gravis dhe në hipotermi, kështu që është e e nevojshme të jepen doza më të ulta. Mund të paraqitet rezistenca tek pacientët me djegje për të cilët do të duhen doza më të larta.

Veprimet anësore:

Për dallim nga benzilizokinolinium relaksuesit jodepolarizues të muskujve (përveç cisatrakuriumit), përdorimi i aminosteroideve (vekuroniumit) nuk shoqërohet me lirim të histaminës i cili mund të shkaktojë mbërdhezje të lëkurës, hipotension, tahikardi, bronkospazëm dhe rrallëherë reakcione anafilaktoide.

Dozimi:

Me injekcion intravenoz, me intubim, 80 –100 mikrogram/kg; doza mbajtëse 20-30 mikrogram/kg varësisht nga përgjegjja terapeutike.

Neonatët dhe foshnjet deri 4 muajshe, fillimisht 10-20 mg/kg pastaj dozat shtesë për arritje të përgjegjjes terapeutike; fëmijët mbi 5 vjeç, sikurse tek dozimi i të rriturve (tek fëmijët deri në 1 vjeç paraqitja e efektit është e shpejtë, kështu që doza më e lartë intubuese mund të mos jetë e nevojshme).

Me infuzion intravenoz, 0,8-1,4 mikrogram/kg/min (pas injekcionit intravenoz inicial prej 40-100 mikrogram/kg).

Forma farmaceutike dhe doza:

Injekcione: 10 mg

 

10.3 BARNAT PËR LEHTËSIMIN E INFLAMACIONIT TË INDEVE TË BUTA

 

HIALURONIDAZA

 

Indikacionet:

Rastet kur nevojitet rritja e apsorbimit dhe disperzimit të medikamenteve të ndryshme që injektohen. Hipodermoklizis. Urografia ekskretore në rastet kur kontrasti jepet S.C.

Kundërindikacionet:

Hipersenzitiviteti.

Veprimet anësore:

Reakcione alergjike në lëkurë.

Dozimi:

Aplikohet në dozë prej 1500 njësishë e përzier me barin që injektohet ( të sigurohet kompatibilteti).

Me anestetikët lokalë: 1500 njësi të pëziera me tretësisrë të anestetikut lokal (në oftalmologji 15 njësi/mL).

Hipodermoklysis: 1500 njësi të treten në 1 mL ujë për injekcione ose tretësisrë 0.9% NaCl dhe të administruar para fillimit të dhënjes së 500- 1000 mL tretësire  infuzive.

Ekstravazacioni ose hematoma: 1500 njësi të tretura në 1 mL ujë pë injekcione ose tretësisrë 0.9% NaCl, të infiltrohen në regjionin e afektuar.

Format farmaceutike dhe dozat: 

Injekcione: 1 mL dhe 10 mL me koncentrim 150 njësi / mL.