Home Farmakovigjilencë Klopidogrel me omeprazol- të shmangen

Klopidogrel me omeprazol- të shmangen

Clopidrogrel
Clopidrogrel
SILVER SPRING, Md - 17 Nëntor, 2009 - FDA (Administrata e Barnave dhe Ushqimit) të SHBA-së ka paraqitur të dhëna të reja që tregojnë se inhibitorët e pompës protonike (IPP) omeprazoli (Prilosec / Prilosec OTC) zvogëlon efektin e klopidogrelit (Plavix) në gjak kundër mpiksjes nga pothuajse për gjysmë kur këto dy barna janë marrë nga pacienti i njëjtë. Pacientët në rrezik për sulm në zemër ose tru që përdorin klopidogrel për të parandaluar mpiksjen e gjakut nuk do të kenë efekt të plotë të këtij bari, nëse ata gjithashtu janë duke marrë omeprazol, prandaj, FDA rekomandon që duhet të shmanget bashkadministrimi i omeprazolit dhe klopidogrelit.

Prilosec
Prilosec
Rekomandimet e reja, të përditësuara nga janari i 2009 me Early Communication, janë të bazuara në rezultatet e studimeve nga prodhuesit e klopidogrelit. Studimet vërtetojnë se bashkadministrimi i omeprazolit me klopidogrel ka rezultuar me ulje të nivelit të metabolitit aktiv të klopidogrelit, që zvogëlon efektin antikoagulant të klopidogrelit.


Omeprazoli inhibon enzimin (CYP2C19) që metabolizon barin, i cili është përgjegjës për konvertimin e klopidogrelit në metabolitin e tij aktiv. Studimet e reja kanë krahasuar sasinë e metabolitit aktiv të klopidogrelit në gjak dhe ndikimit të tij mbi trombocitet në pacientët të cilët marrin klopidogrel plus omeprazol kundrejt atyre që marrin vetëm klopidogrel. Një zvogëlim i nivelit të metabolitit aktiv prej rreth 45% është gjetur në ata të cilët kanë marrë klopidogrel me omeprazol në krahasim me ata që marrin vetëm klopidogrel. Efekti i klopidogrelit në trombocite u zvogëlua për më shumë se 47% në pacientët që marrin klopidogrel dhe omeprazol së bashku. Këto reduktime u panë kur barnat ishin dhënë në të njëjtën kohë ose 12 orë më vonë.

Meqenëse niveli i inhibimit ndërmjet IPP të tjerë ndryshon, është e panjohur se në çfarë sasie IPP të tjerë mund të interferojnë me klopidogrel. Megjithatë, esomeprazoli (Nexium), një IPP që është një komponentë e omeprazolit, inhibon CYP2C19 dhe duhet gjithashtu të shmanget në kombinim me klopidogrel.

Barnat tjera që zvogëlojnë aciditetin e stomakut, sikurse që është ranitidina (Zantac), famotidina (Pepcid), nizatidina (Axid), ose antacidet, nuk pritet që të interferojnë me aktivitetin antikoagulant të klopidogrelit sepse ato nuk e inhibojnë aktivitetin e CYP2C19. Megjithatë, cimetidina (Tagamet/ Tagamet HB) bënë inhibimin e aktivitetit të CYP2C19 dhe nuk duhet të përdoret.

Përveç cimetidinës, barnat tjera që janë inhibitorë të fuqishëm të enzimit CYP2C19 do të pritet të kenë një efekt të ngjashëm dhe duhet të shmanget kombinimi  me klopidogrel. Këto përfshijnë flukonazolin (Diflucan), ketokonazolin (Nizoral), vorikonazolin (VFEND), etravirinën (Intelence), felbamatin (Felbatol), fluoksetinën (Prozac, Sarafem, Symbyax), fluvoksaminën (Luvox), dhe tiklopidina (Ticlid).

Sanofi-Aventis dhe Bristol-Myers Squibb, krijuesit e Plavix-it (klopidogrel), janë duke bërë azhurnimin e etiketimin e këtij bari me detajet e studimeve dhe po kryejnë studime të mëtejme që do të përforcojnë studimet e ndërveprimeve të barnave me klopidogrel.

Derisa informacionet e mëtejshme do të jenë në dispozicion, FDA rekomandon në vazhdim:
• Përdorimi i njëkohshëm i omeprazolit dhe klopidogrelit duhet të shmanget për shkak të nivelit të efektit të metabolitit aktiv  të klopidogrelit dhe aktivitetit antikoagulant. Pacientët në rrezik për sulm në zemër ose tru, të cilëve u është dhënë klopidogreli për të parandaluar mpiksjen e gjakut, nuk mund të mbërrijnë efekt të plotë mbrojtës antikoagulant nëse ata gjithashtu marrin omeprazol me recetë ose në formë OTC.
• Ndarja e dozimit të klopidogrelit dhe omeprazolit përgjatë kohë nuk do ta pakësojë këtë ndërveprim të barnave.
Barnat tjera që duhet të shmangen në kombinim me klopidogrel sepse ato mund të kenë një ndërveprim të ngjashëm ku përfshihen esomeprazoli, cimetidina, flukonazoli, ketokonazoli, vorikonazoli, etravirina, felbamati, fluoksetina, fluvoksamina, dhe tiklopidina.

• Në këtë moment FDA nuk ka informata të mjaftueshme për ndërveprime të barnave mes klopidogrelit dhe IPP të tjerë përveç omeprazolit dhe esomeprazolit për të bërë rekomandime specifike për bashkadministrimin e tyre. Profesionistët shëndetësor dhe pacientët duhet të marrin parasysh të gjitha opsionet e trajtimit me kujdes para fillimit të terapisë.

• Nuk ka asnjë dëshmi se barnat tjera që zvogëlojnë aciditetin në stomak, siç janë shumica e H2 bllokuesëve ranitidinë  (Zantac), famotidinë (Pepcid), nizatidinë (Axid), përveç cimetidinës (Tagamet dhe Tagamet HB - një inhibotor i CYP2C19), ose antacidet interferojnë me aktivitetin antikoagulantë të klopidogrelit. Ranitidina dhe famotidina janë në dispozicion me recetë dhe OTC për të qetësuar dhe për të parandaluar urthin dhe antacidet janë në dispozicion si OTC për lehtësimin e urthit. • Bisedoni me pacientët tuaj për barnat OTC që ata i marrin. Jeni të vëmendshëm se pacientët mund të marrin forma të omeprazolit dhe cimetidinës që nuk përshkruhen.

FDA do të vazhdojë të hetojë ndërveprimet e barnave tjera me klopidogrel. FDA planifikon që paraqitjen e kësaj çështje të paraqes në mbledhjen e ardhshme të Bordit Mbikëqyrës të Sigurisë për Barna të FDA-së në Nëntor. Agjencia do të komunikojë çdo rekomandim të mëtejshëm ose përfundime posa të jenë në dispozicion informacionet shtesë. Burimi: FDA

Share